Martesa ka një rëndësi të veçantë, si nga aspekti fetar, si nga ai individual e shoqëror. Fetarisht, konsiderohet besëlidhje ndër më të fuqishmet absolutisht që ndodhin mes njerëzve [Kur’ani: 4:21], e cila ka një efekt qetësues shpirtëror pothuajse të pakrahasueshëm. Për këtë arsye është dhe tregues i mëshirës, dijes gjithëpërfshirëse të Zotit dhe përkujdesjes së Tij për njerëzit [Kur’ani: 30: 21].
Martesa është mënyrë se si ruhet nderi dhe rrjedhimisht si plotësohet besimi dhe arrihet prehja shpirtërore. Për këtë arsye kërkohet që të ruhet dhe të ndërmerret çdo hap i mundshëm për ta parandaluar prishjen e saj. Bashkëshortët porositen që të bëjnë jetë të lumtur, mbi baza të respektit të ndërsjellë [Kur’ani: 4:19; 30: 21] dhe çdo problem që shfaqet në jetën e tyre ta zgjidhin fillimisht vet. E nëse nuk ia dalin, atëherë të kërkojnë që familjarët e tyre, që dallohen për urtësi dhe të cilët nuk kanë qëllim tjetër pos ruajtjes së kësaj martese, t’i zgjidhin këto probleme [Kur’ani: 4:35].
Pra, pala e tretë duhet të dallojë për urtësi dhe qëllim të mirë, ndryshe, të dhënat nga terreni dëshmojnë se përfshirja e palës së tretë, që i mungojnë këto dy tipare (urtësia dhe qëllimi i mirë) është ndër shkaqet kryesore pse thellohen krizat në martesa dhe përfundojnë me divorc. Ali Tantavi, intelektual mysliman i kalibrit botëror, pas një përvoje njëzet vjeçare ku trajtoi më shumë se njëzetmijë raste të mospajtimit ndërmjet bashkëshortëve, thotë të ketë përfunduar me konstatimin se “3/4 e mospajtimeve do të zgjidheshin paqësisht sikur palët e treta të mos përfshiheshin fare.”
Kujdes kujt ia besoni martesën tuaj!
Bisedoni me njëri-tjetrin para se të bisedoni me të tjerët.
Jo të gjithë ata me të cilët qani hallet tuaja ndiejnë dhimbje për ju. Disa mbase mund ta gjejnë momentin e duhur për t’ju goditur ndërsa nuk kanë mundur ta bëjnë më herët.