LAMTUMIRË RAMAZAN!

Ramadan
Hyrje

Të nderuar vëllezër besimtarë!

Kjo është xhumaja e fundit e muajit Ramazan. Ditët e tij të numëruara kaluan shumë shpejt e bashkë me to edhe kjo atmosfera e bukur e adhurimit. Sonte e falim edhe namazin e fundit të teravive për këtë Ramazan, këtë namaz që përgjatë një muaji të tërë na ka bashkuar në shtëpitë e Allahut duke na dhuruar kënaqësi dhe përjetime të jashtëzakonshme. Prandaj është normale të na emocionojë kjo kohë kur ndarja me këtë mik të shtrenjtë po afron gjithnjë e më shumë sepse, për ne, këto ditë dhe net nuk janë thjesht ditë dhe net të një muaji, por janë ditët dhe netët më të mira të jetës sonë, ditët dhe netët që fshehin shansin dhe mundësinë e jetës për të shpëtuar në këtë dhe botën tjetër.

Ndarja nuk nënkupton shkëputjen

Besimtarë të dashur!

Ndarja nga Ramazani nuk nënkupton shkëputjen me të, shpirtërisht jo se jo, por as fizikisht. Ndarja, në fakt, nënkupton një fillim të ri, një vazhdim më ndryshe; vazhdimin e rrugëtimit të jetës me mësimet dhe përvojat e Ramazanit. Si shkollë, Ramazani na ka përgatitur për tu ballafaquar me sfidat dhe problemet e jetës. Ramazani na ka mësuar se jeta nuk jetohet pa Zotin dhe se nuk ka rrugë tjetër që të udhëzon dhe bën të lumtur pos rrugës së Tij. Ramazani këtë program e ka bërë kod të jetës sonë:

﴿‏ إِنَّمَا كَانَ قَوْلَ الْمُؤْمِنِينَ إِذَا دُعُوا إِلَى اللَّهِ وَرَسُولِهِ لِيَحْكُمَ بَيْنَهُمْ أَن يَقُولُوا سَمِعْنَا وَأَطَعْنَا ۚ وَأُولَٰئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ ﴿٥١﴾

Veprimi në shpërputhje  me mësimet e Ramazanit dëshmi e shkatërrimit të punës gjatë Ramazanit

“Ndërsa përgjigjja e vetme e besimtarëve, kur thirren tek Allahu  dhe i Dërguari i Tij, që ai të gjykojë midis tyre, është: “Dëgjojmë dhe bindemi”. Pikërisht këta janë të shpëtuarit.” [Nur: 51]

Dalja jashtë kësaj do të nënkuptonte ndarën e vërtetë me Ramazanin, do të nënkuptonte shkatërrimin e asaj që ke ndërtuar, do të nënkuptonte marrëzinë. Allahu i madhëruar na ka urdhëruar që të mos ndjekim shembuj të çoroditur dhe irracional që prishin pasi të kenë ndërtuar:

﴿‏ وَلَا تَكُونُوا كَالَّتِي نَقَضَتْ غَزْلَهَا مِن بَعْدِ قُوَّةٍ أَنكَاثًا ﴾

“Mos u bëni si ajo gruaja që e shprish dhe e bën fije-fije atë që e ka tjerrë fort…” [Nahl: 92]

Bishr Hafiun e pyetën për njerëzit që vetëm në Ramazan e adhurojnë Zotin e tha: “Sa njerëz të këqij që janë ata që nuk ia njohin Zotit të drejtat edhe jashtë Ramazanit!…”[1] Shibliut i thanë: Cili muaj është më i mirë, rexhebi apo shabani? Tha: “Ji rebbanij (adhurues i vazhdueshëm i Zotit dhe në çdo kohë), e mos ji shabanist!” [2] Pra, mos u fokuso vetëm në muaj të caktuar e pastaj ta harrosh Allahun por adhuroje Atë përherë!

Motivi pse nuk duhet ndryshuar  pas Ramazanit

Ramazani, krahas këtyre mësimeve, na ka dhënë edhe motivin për të qëndruar i fortë në këtë rrugë. Ditët e tij të numëruara ngjajnë me qëndrimin tonë të numëruar në këtë botë; janë jeta në miniaturë, dhe, sikur që na gëzon festa pas një muaji të tërë adhurim, do të na gëzojë shpëtimi pas një jete të tërë adhurim. Jo rastësisht, gëzimi i dytë për agjërimin[3] është kur ta takojmë Allahun e madhëruar. Prandaj, t’ia sjellim vetes ndërmend se, sikur që po mundohemi të “vjedhim” nga koha e Ramazanit për të shtuar sa më shumë të mirat, po kështu duhet të bëjmë me ditët e jetës që të shtojmë të mirat. Sa fjalë të bukura ka thënë Sahabiu i nderuar, Abdullah bin Mesudi r.a.: “Nuk ndihem keq për asgjë sikur për ditën në të cilën ka perënduar dielli: më është shkurtuar jeta për një ditë ndërsa nuk më janë shtuar veprat e mira me asgjë.[4]

Omer bin Abdul Azizi thoshte: “Dita dhe nata janë duke vepruar në ty (po të marrin nga jeta jote), vepro edhe ti në to (merr prej tyre të mira sa më shumë të kesh mundësi).”[5]

 

Veprimet e fundit për ta dorëzuar të plotë e pa mangësi:

Kërkimfalja dhe përgjërimi në fund të Ramazanit

Myslimanë të respektuar!

Ditët e fundit të Ramazanit, pavarësisht kësaj gjendje emocionale që na shkaktojnë, janë ditë vendimtare. Para Ramazanit, jemi lutur që Allahu t na e mundësojë agjërimin e këtij muaji, tani lutemi të na e pranojë. Është në karakterin e besimtarit që përmbylljen e veprave ta bëjë në gjendje modestie, përulje e përgjërimi. Ja si i përshkruan Kur’ani besimtarët kur ofrojnë ndonjë vepër për Zotin:

﴿ وَالَّذِينَ يُؤْتُونَ مَا آتَوا وَّقُلُوبُهُمْ وَجِلَةٌ أَنَّهُمْ إِلَىٰ رَبِّهِمْ رَاجِعُونَ ﴿٦٠﴾‏

“Dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre.” [Mu’minunë: 60]

Pra, janë me frikë, jo frikë çorientuese apo frikë që të bën të mendosh keq për Zotin, por frikë e përzier me mendimin e mirë për Zotin. O Allah, Ti meriton më shumë se që ne kemi bërë për Ty, më mirë se kjo që po e ofrojmë. Për këtë shkak, Talk bin Habibi ka thënë: “E drejta e Zotit është më me peshë se që robërit mund ta çojnë në vend, sikur që të mirat e Tij janë më shumë se që ne mund t’i numërojmë, prandaj, sado mirë që të veproni, sabahu e akshami mos t’ju zënë ndryshe vetëm se duke u penduar.”[6]

Kështu, ajo që neve na brengosë tani ka të bëjë me pranimin e veprës sonë. Aliu r.a., na ka porositur: “Kujdesuni më shumë për pranimin e veprës se për vet veprën!…” [7] Tani duhet të na vijnë ndërmend lëshimet që i kemi bërë dhe të nxitojmë e t’i përmirësojmë. Aliu r.a., në natën e fundit të Ramazanit thirrtë me zë: “Sa shumë do të doja ta di se kujt i janë pranuar veprat e t’i marr myzhde dhe kujt i janë refuzuar e ta ngushëlloj![8]

Sadakaja e fitrit arnuese  e agjërimit

Prandaj, këto ditë për ne besimtarët janë ditë të lutjes për pranimin e veprave!

Dhe jo vetëm. Këto ditë janë ditë të dhënies së sadakasë së fitrit, këtij adhurimi e detyrimi njëherësh që, figurativisht ka rolin e pastruesit dhe arnuesit të agjërimit. Lëshimet dhe gabimet tona eventuale gjatë agjërimit ndreqen dhe rregullohen me përmbushjen e këtij detyrimi. Abdullah bin Abbasi r.a., përcjell se:

رضَ رسولُ اللَّهِ صلَّى اللَّهُ عليْهِ وسلَّمَ زَكاةَ الفطرِ طُهرةً للصَّائمِ منَ اللَّغوِ والرَّفثِ وطعمةً للمساكينِ من أدَّاها قبلَ الصَّلاةِ فَهيَ زَكاةٌ مقبولةٌ ومن أدَّاها بعدَ الصَّلاةِ فَهيَ صدقةٌ منَ الصَّدقاتِ

“Pejgamberi a.s., e obligoi zekatin e fitrit si pastrim për agjëruesin (nga gabimet eventuale në agjërim) dhe si ushqim për meskinët. Kush e jep para namazit është zekat i pranuar ndërsa kush e jep pas namazit, ajo mbetet lëmoshë e rëndomtë.” [9]

Pra, sot dhe nesër kemi kohë ta japim këtë lëmoshë andaj duhet të nxitojmë që të mos kalojë koha e pastaj të mos na pranohet. Ndërsa e japim këtë lëmoshë, duhet të sjellim ndërmend një fakt me rëndësi. Pejgamberi a.s., e ka ngritur aq lart lëmoshën aq sa e ka përshkruar si argument dhe provë:

والصَّدَقَةُ بُرْهانٌ

“…dhe lëmosha është argument – dëshmi…”[10]

Është argument i besimit, argument i gatishmërisë për ta dhënë për Zotin atë që është e dashur për shpirtin dhe e dhimbshme. E këtu mbase qëndron edhe arsyeja pse Allahu i madhëruar e ka vlerësuar lart sadakanë duke e shpërblyer dhënësin shumëfish:

﴿ مَّن ذَا الَّذِي يُقْرِضُ اللَّهَ قَرْضًا حَسَنًا فَيُضَاعِفَهُ لَهُ أَضْعَافًا كَثِيرَةً ﴿٢٤٥﴾‏

“Kush do t’i japë Allahut një hua të bukur, që Ai t’ia kthejë shpërblimin shumëfish?…” [Bekare: 245]

Kjo lëmoshë që japim na deponohet në botën tjetër prandaj Pejgamberi a.s., është betuar se pasuria nuk pakësohet duke dhënë sadaka.

Mesazhi / duaja

Xhematlinj të nderuar!

Në fund, me duar të ngritura drejt Zotit dhe me zemra që kërkojnë kënaqësinë e Tij, lutemi që agjërimin ynë dhe çdo vepër tjetër me të cilën jemi afruar tek Ai të jetë pranuar!

Zoti ynë, na shpërble për agjërimin ashtu siç na ke premtuar, bëje atë ndërmjetësues për ne dhe, të lutemi, të na mundësosh hyrjen në xhenet nëpërmjet derës së tij, derës rejan! Amin!

[1] Ibën Rexheb el-Hanbelij, Letaif el-mearif fima li mevasimi elami mine l-vedhaif, (Bejrut: Dar Ibën Hazm, 2004), f. 222.

[2] Ibën Rexheb el-Hanbelij, Letaif el-mearif fima li mevasimi elami mine l-vedhaif, vep.cit., f. 222.

[3] Aludim në hadithin: “…Agjëruesi ka dy gëzime me të cilat gëzohet: kur ta çelë iftarin dhe kur ta takojë Zotin gëzohet për agjërimin që ka bërë.” Buhariu, nr. 1904; Muslimi, nr. 1151.

[4] Abdul Fettah Ebu Guddeh, Kimetu ezzemen inde el-ulema, (Halep: Mekte bel-matbuat el-islamije, ed. 10), f. 27.

[5] Po aty.

[6] Ibën Kethir, Tefsir el-Kur’ani el-adhim, (Kajro: Muessesetu Kurtube, 2000), 8/224.

[7] Ibën Ebi Dunja, El-hlas ve en-nijjeh, red. shkenc. Ijad Halid Tabbaë, (Bejrut: Dar el-beshair, 1413 h.), f. 39.

[8] Ibën Rexheb el-Hanbelij, Letaif el-mearif fima li mevasimi elami mine l-vedhaif, vep.cit., f. 210.

[9] Hadith i saktë. Shih: Sahihu Ebi Davud, nr. 1609.

[10] Muslimi, nr. 223.

Shperndaj:
Facebook
X
WhatsApp
Telegram
Telegram