MOS NËNÇMONI ASNJË NJERI

Nga vet natyra, njeriu vlerëson të tjerët më shumë nga ajo që sheh. Pranë Pejgamberit a.s. dhe Sahabeve r.a. kaloi një njeri që, shikuar nga gjendja e tij e jashtme, dukej i pasur. Pejgamberi a.s. deshi ta testonte këtë bindje tek shokët e tij dhe ta përmirësonte. I pyeti: Çfarë mendoni për këtë njeri? Thanë: Është nga radhët e esnafëve, po ia kërkoi vajzën dikujt, duhet t’ia jap, nëse ndërmjetëson për ndonjë punë, duhet t’i kryhet.
Pejgamberi a.s. heshti.
Pastaj kaloi dikush nga fukaratë, për të cilin i pyeti Pejgamberi a.s. se çfarë mendonin për të: Thanë: O i Dërguari i Allahut, fukara, nëse kërkon dorën e ndonjë vajze, nuk i jepet, nëse ndërmjetëson, nuk i pranohet ndërmjetësimi.
Pra ia shfaqën një kriter sipas të cilit i kanë vlerësuar njerëzit. Pejgamberi a.s. nuk lejoi të ndodhte një gjë e tillë andaj edhe ua përmirësoi duke iu thënë:
»هَذَا خَيْرٌ مِنْ مِلْءِ الأَرْضِ مِثْلَ هَذَا«
“Ky i fundit (fukarai) është më i mirë se ai i pari (i pasuri) edhe sikur e tërë bota të ishin sikur ky (i pasuri). ”
Shumë njerëz që ne nuk i vlerësojmë për shkak të pamjes së jashtme mund të jenë të ngritur tek Allahu. Llukman Hakimi që Zoti ia ka kushtuar një kaptinë të tërë në Kur’an ka qenë skllav dhe për më tepër i shëmtuar nga pamja. Por, devotshmëria e tij, lidhja e tij me Zotin kanë bërë që emri i tij mos të shuhet kurrë. Ne mesin e njerëzve ka të atillë që duken të thjeshtë, të parëndësishëm, të padobishëm, por që tek Allahu janë shumë të lartë. Pejgamberi a.s. ka thënë:
»رُبَّ أشعثَ أغبرَ مدفوعٍ بالأبواب، لو أقسم على الله لأبرّه«
“Ndodhë që një njeri flokëshprishur, i palarë, njeri të cilit i mbyllen dyert, nëse betohet në Zot për diç, Zoti ia realizon betimin. ”
Pra, ndodhë që nga pamja e jashtme të jetë i përbuzur, e për këtë shkak njerëzit edhe të mos e vlerësojnë dhe të mos ketë asnjë rëndësi, por tek Zoti të jetë i nderuar. Ndodhë që njerëzit t’ia mbyllin derën, të mos e pranojnë fjalën e tij, por jo edhe Zoti. Ai ia hap derën e qiellit dhe ia pranon lutjen. Nëse lutet: O Allah, të betohem t’ia mbyllësh derën e rahmetit Tënd këtij njeriu siç ma mbylli derën mua, Allahu i përgjigjet.
Pra, nuk duhet nënvlerësuar asnjë njeri. Abdullah bin Mubareku, një nga dijetarët e mëdhenj të këtij ummeti, rrëfen për një rast kur besimtarët kishin dalë për tu lutur për shi. Në mesin e tyre kishte vënë re një skllav, i zi, fizikisht i dobët, i cili ishte vetmuar në një qoshe dhe lutej: ‘O Zoti ynë, na është ndalë shiu për shkak të mëkateve tona, por të lus që të na begatosh me shi! Sa herë të kam lutur për veten time, më je përgjigjur ndërsa sot po të lus për robërit Tu, për ummetin e të dashurit Tënd, Muhammedit a.s. Zoti im, begatoji tani me shi!’ Nuk kaloi shumë dhe retë mbuluan qiellin ndërsa shiu filloi…

Shperndaj:
Facebook
X
WhatsApp
Telegram
Telegram