PASIMI I SUNNETIT SI DËSHMI E DASHURISË PËR PROFETIN MUHAMED ﷺ

Hyrje

Të nderuar vëllezër besimtarë!

Dashuria jonë për Profetin Muhamed ﷺ është e madhe. Si jo kur ai është mëshira e Zotit për njerëzimin, si jo kur me misionin e tij fillon një epokë e re për njerëzimin, epokë e ndritur në të cilën njeriut i kthehet dinjiteti i munguar prej shekujsh. Allahu i madhëruar thotë:

﴿‏ وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا رَحْمَةً لِّلْعَالَمِينَ ﴾‏

“Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët” [Enbija: 107]

Prandaj, nuk kemi si të mos e duam, si të mos gëzohemi për të, për misionin e tij, për mësimet dhe këshillat e dobishme të tij. Por lidhja jonë me Profetin Muhamed ﷺ shkon përtej lidhjes emocionale. Është lidhje fetare, lidhje e besimit, prandaj edhe dashuria, edhe respekti, manifestohen ndryshe. Sot, në hytben e kësaj xhumaje, do ta trajtojmë vetëm një detaj të dashurisë për Profetin Muhamed ﷺ, që reflekton prej saj dhe që, njëherësh, e dëshmon atë. Do të flasim për pasimin e sunnetit si dëshmi e dashurisë për Profetin Muhamed ﷺ.

Dashuria për Profetin ﷺ përtej emocionit

Besimtarë të dashur!

Ta duash Profetin Muhamed ﷺ nuk është thjesht emocion. Dashuria është besim. Allahu i madhëruar thotë:

﴿قُلْ إِن كَانَ آبَاؤُكُمْ وَأَبْنَاؤُكُمْ وَإِخْوَانُكُمْ وَأَزْوَاجُكُمْ وَعَشِيرَتُكُمْ وَأَمْوَالٌ اقْتَرَفْتُمُوهَا وَتِجَارَةٌ تَخْشَوْنَ كَسَادَهَا وَمَسَاكِنُ تَرْضَوْنَهَا أَحَبَّ إِلَيْكُم مِّنَ اللَّهِ وَرَسُولِهِ وَجِهَادٍ فِي سَبِيلِهِ فَتَرَبَّصُوا حَتَّىٰ يَأْتِيَ اللَّهُ بِأَمْرِهِ ۗ وَاللَّهُ لَا يَهْدِي الْقَوْمَ الْفَاسِقِينَ﴾

“Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni deri sa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e pabindur.” [Teube: 24]

Ky ajet kur’anor, siç ka thënë Kadi Ijadi, mjafton si nxitje, shtytje, udhëzim dhe argument për obligimin e dashurisë për Profetin ﷺ…[1]

Se dashuria është e obliguar dhe se besimi nuk plotësohet pa të na mëson edhe vet Profeti Muhamed ﷺ i cili thotë:

لَا يُؤْمِنُ أحَدُكُمْ، حتَّى أكُونَ أحَبَّ إلَيْهِ مِن والِدِهِ ووَلَدِهِ والنَّاسِ أجْمَعِينَ

“Nuk ka besuar plotësisht ndokush prej jush derisa mua të mos më dojë më shumë se prindin e tij, fëmijën e tij dhe njerëzit në përgjithësi.”[2]

Së këndejmi, dashuria është reflektuese. Dijetarët myslimanë, duke na folur për konceptin e dashurisë për Profetin Muhamed ﷺ, kanë nënvizuar edhe aspektin praktik ose reflektues të saj. Kanë thënë se ta duash Profetin ﷺ nënkupton ta ndjekësh rrugën e tij, t’i përfillësh urdhëresat e tij, të largohesh nga ndalesat e tij, t’i çosh selam kur t’i përmendet emri, të largohesh nga gjërat e shpikura, etj.[3]

Pra, është dashuri e përzier me praktikë, sepse dashuria duhet dëshmuar, dhe praktikë e përzier me dashuri, sepse praktika nuk duhet kryer pa dashuri.

Ajeti testues në Kur’an: kushtëzimi i dashurisë për Zotin ﷻ madhëruar me pasimin e Profetit ﷺ

Myslimanë të respektuar!

Se dashuria nuk duhet të mbetet vetëm në fjalë na mësojnë dhe ajete tjera kur’anore. Në kaptinën Al Imran, ajeti 31, Allahu i madhëruar thotë:

﴿قُلْ إِنْ كُنْتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللَّهُ﴾

“Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë…”

Siç mund ta shohim, ka një lidhje interesante ndërmjet dashurisë ndaj Zotit i madhëruar dhe pasimit të profetit Muhamed ﷺ. Kush e do Zotin i madhëruar, duhet ta dëshmojë praktikisht duke e ndjekur Profetin Muhamed ﷺ. Pra, jo vetëm dashuria ndaj Profetit ﷺ duhet të dëshmohet edhe me praktikë por edhe dashuria për Zotin i madhëruar duhet të dëshmohet duke e ndjekur Profetin Muhamed ﷺ. Prandaj disa dijetarë këtë ajet e kanë quajtur testues të dashurisë për Zotin. Është e pakuptimtë ta pretendosh dashurinë për Zotin e madhëruar e pastaj ta kundërshtosh Profetin ﷺ. Kjo, ngase, siç ka thënë mufesiri i madh, Shenkiti, rahmet pastë!, “bindja ndaj të Dërguarit të Allahut ﷺ është bindje ndaj vet Zotit i madhëruar.”

Bindja ndaj profetit ﷺ bindje ndaj Zotit i madhëruar

Xhematlinj të nderuar!

Këtë na e konfirmojnë tekstualisht Kur’ani dhe Sunneti. Allahu i madhëruar thotë:

﴿مَّن يُطِعِ الرَّسُولَ فَقَدْ أَطَاعَ اللَّهَ ۖ ﴾‏

“Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut…” [Nisa: 80]

Profeti Muhamed ﷺ ka thënë:

مَن أطاعَنِي فقَدْ أطاعَ اللَّهَ، ومَن عَصانِي فقَدْ عَصَى اللَّهَ

“Kush më bindet mua, i është bindur Zotit, e kush më kundërshton mua, e ka kundërshtuar Zotin…”[4]

Kjo për arsye se Profeti Muhamed ﷺ përcjell mesazhin e Zotit të madhëruar, ajo çfarë thotë ai është në fakt ajo që Zoti ia mëson, prandaj nënkuptohet se t’i bindesh atij, i je bindur Zotit, dhe ta kundërshtosh atë, e ke kundërshtuar Zotin. Këtu qëndron arsyeja pse Zoti i madhëruar na porosit që të mos refuzojmë asgjë nga ajo që Profeti Muhamed ﷺ na përcjell.

﴿ وَمَا آتَاكُمُ الرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا نَهَاكُمْ عَنْهُ فَانْتَهُوا﴾‏

“…Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj…” [Hashr: 7]

Ne nuk duhet të heqim dorë nga asgjë që na e ka mësuar Profeti Muhamed ﷺ, edhe nëse zbatimi i saj nuk është obligativ. Ne gabojmë shumë kur nuk i falim sunnetet me arsyetimin se nuk janë obligim. Mosfalja e tyre nënkupton dobësim të ndjenjës fetare tek besimtari. Ibën Kasimi ka thënë: “Braktisja e sunneteve të rregullta është dëshmi e fesë së paktë.”[5]

Ndjekja e sunnetit për zgjidhje të mospajtimeve ndërmjet nesh

Vëllezër besimtarë!

Një dimension tjetër i ndjekjes së rrugës profetike është edhe aspekti referencial i saj. Me fjalë tjera, ndjekja e rrugës profetike nuk duhet të na përçajë por të jetë mënyrë e zgjidhjes së mospajtimeve ndërmjet nesh. Allahu i madhëruar thotë:

﴿يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللَّهَ وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ وَأُولِي الْأَمْرِ مِنكُمْ فَإِن تَنَازَعْتُمْ فِي شَيْءٍ فَرُدُّوهُ إِلَى اللَّهِ وَالرَّسُولِ إِن كُنتُمْ تُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ ذَٰلِكَ خَيْرٌ وَأَحْسَنُ تَأْوِيلاً﴾

“O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur.” [Nisa: 59]

Kurdo që nuk pajtojmë, duhet t’i kthehemi Kur’anit dhe Sunnetit, që t’i zgjidhim mospajtimet tona. Dhe jo vetëm kaq. Këtyre dy burimeve duhet t’i kthehemi për ta vlerësuar çfarëdo vepre që bëjmë. Mos ndjekja e Sunnetit, siç qëndron tekstualisht në hadith[6], është shkak për refuzim të veprave. Imam Shafiu paskësh thënë: “Nëse e shihni njeriun duke ecur mbi ujë apo duke fluturuar në qiell mos i besoni dhe mos u mashtroni me të përderisa punën e tij të mos ia ekspozoni Kur’anit dhe Sunnetit.” [7] Thënë ndryshe, njeriu nuk mund të jetë evlia nëse e kundërshton Kur’anin dhe Sunnetin.

Përmbyllje: Rreziku i shmangies nga rruga profetike

Të dashur vëllezër myslimanë!

Ndjekja e rrugës profetike është rrugë shpëtimi. Çdo shmangie prej saj nënkupton devijimin dhe ekspozimin ndaj ndëshkimit të Zotit. Allahu i madhëruar thotë:

﴿ فَلْيَحْذَرِ الَّذِينَ يُخَالِفُونَ عَنْ أَمْرِهِ أَن تُصِيبَهُمْ فِتْنَةٌ أَوْ يُصِيبَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ ﴿٦٣﴾‏

“…Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i arrijë ndonjë sprovë ose që të mos i godasë një dënim i dhembshëm.” [Nur: 63]

Profeti Muhamed ﷺ ka thënë:

فمَن رَغِبَ عن سُنَّتي فليسَ مِنِّي

“…E kushdo që heq dorë nga tradita ime, ai nuk më përket mua.”[8]

Jo vetëm kaq. Shmangia nga kjo rrugë nënkupton shmangie të qëllimshme nga rruga e  xhenetit. Kjo për faktin se ndjekja e rrugës dhe traditës profetike është rrugë për në xhenet prandaj përcaktimi për ta ndjekur ose jo nënkupton përcaktim për të hyrë ose jo në xhenet. Profeti Muhamed ﷺ ka thënë:

كُلُّ أُمَّتي يَدْخُلُونَ الجَنَّةَ إِلَّا مَن أَبَى، قالوا: يا رَسُولَ اللَّهِ، وَمَن يَأْبَى؟ قالَ: مَن أَطَاعَنِي دَخَلَ الجَنَّةَ، وَمَن عَصَانِي فقَدْ أَبَى

“I tërë ymeti im do të hyjnë në xhenet përveç atyre që refuzojnë. E kush refuzon, o i Dërguari i Allahut?- e pyetën. Tha: Kush më bindet hyn në xhenet, e kush më kundërshton ai ka refuzuar hyrjen në xhenet.”[9]

Pra, duke e dashur dhe duke e ndjekur Profetin Muhamed ﷺ, ne jetojmë të udhëzuar në këtë botë dhe shpëtojmë në botën tjetër duke e fituar xhenetin!

B

[1] Esh-shifa bi-ta’rifi hukuki el-Mustafa, 2/18.

[2] Buhariu, nr. 13.

[3] Fetava Nurun ala ed-derb, 3/42.

[4] Buhariu, nr. 2957; Muslimi, nr. 1835.

[5] Ibën Kasimi, Hashijetu Ibni Kasim, 1/211. Sunnete të rregullta (ar. revatib): janë sunnetet që falen para dhe pas farzeve: dy rekatet e sabahut, katra para farzit të drekës dhe dy pas tij, dy pas akshamit dhe dy pas jacisë. Fesë së paktë: fetarisë së mangët dhe jo të plotë.

[6] Profeti Muhamed ﷺ ka thënë: “Kush vepron diç në shpërputhje me rendin tonë, vepra e tij i refuzohet.” [Buhariu, nr. 2697; Muslimi, nr. 1718]

[7] Abdurrahman bin Hasan et-Temimi, Keshfu ma elkahu iblis min el-behrexhi vet-telbis ala kalbi Davud bin Xherxhis, red. shkenc. Abdulaziz bin Abdullah Ezzejr Al Hamad, (Rijad: Dar el-Asimeh, 1415 h.), f. 116.

[8] Buhariu, nr. 5063; Muslimi, nr. 1401.

[9] Buhariu, nr. 7280.

Shperndaj:
Facebook
X
WhatsApp
Telegram
Telegram