Zoti im

Zoti im!

Çfarë gjeti ai që të humbi Ty?!

Çfarë humbi ai që të gjeti Ty?!

“Çfarë humbi ai që e gjeti Allahun e çfarë gjeti ai që e humbi Atë?!” – nuk është thjesht një shprehje që thuhet por gjendje që përjetohet.

Nëse zemra mbushet me njohjen e Zotit dhe qëndron në afërsi të Tij, atëherë ajo mbushet me dritë të cilën brengat nuk mund ta fikin dhe para së cilës nuk mbyllet dot asnjë derë.

Besimtari i këtillë ndjen se Allahu është me të; e dëgjon kur e lut, e sheh kur është vetëm, e di çfarë fsheh në zemër madje edhe para se gjuha ta shpreh atë.

Kur robi ta arrijë këtë gjendje, edhe nëse tërë gajlet e dynjasë janë mbi të, disponon me një qetësi shpirtërore të cilën mendja e njeriut nuk mund ta imagjinojë dot.

Kush e gjen ALLAHUN, ka gjetur afërsinë që nuk ia dhuron askush dhe asgjë; qetësinë që nuk blihet me para, prehjen që për shpirtin është sikur shiu për tokën pas një thatësie të gjatë.

E përmend Zotin e vet dhe në çast brenga zhduket, frika ikën dhe zemrës i kthehet qetësia sikur kurrë të mos kishte përjetuar asgjë të keqe.

Jo pse robi është i fortë por se Zoti është afër tij.

Është afër tij: e sheh kur qanë, e di çfarë ka brenda shpirtit, e ngrit sërish në këmbë pasi që të jetë thyer shpirtërisht, e kthen në rrugën e drejtë pasi që të ketë devijuar…

Kur zemra ta shijë këtë afërsi, atëherë dynjaja bëhet e pavlerë për të; jo pse ka hequr dorë nga dynjaja por se ka njohur diç me vlerë të pakrahasueshme ndaj saj.

E ai që e humbi Zotin…Vërtitet në kënaqësi që nuk zgjasin, në frikë që nuk mbaron kurrë; ai nuk ndalet së kërkuari qetësinë por, për shkak se nuk e kërkon tek Zoti, nuk e gjen kurrë. Kjo për arsye se qetësia nuk është në atë që posedon por në Atë të Cilit i mbështetesh!

Nëse robi është i kënaqur me Zotin, zemra e tij gjen qetësinë vetëm tek Zoti dhe ka mendim të mirë për Të, atëherë do të jetojë me zemër të fortë dhe të paluhatshme, pavarësisht sprovave e sfidave me të cilat do të përballet.

Kjo është pasuria e vërtetë! Ky është shpëtimi i vërtetë që nuk ka të ngjashëm me të!

Dr. Xhasim Mutavva

Shperndaj:
Facebook
X
WhatsApp
Telegram
Telegram